E dashur nusja e djalit tim!
Në familjen tonë, kohë përpara se të bëheshe ti pjesë e saj, ka pasur një rregull: të gjithë anëtarët konsideroheshin njësoj, që do të thotë edhe kur më vinin nipër e mbesa, të mitë ose të bashkëshortit, unë nuk i ndaja nga fëmijët e mi. Njësoj u bëja për të ngrënë, njësoj i vija në gjumë, njësoj i vishja, i laja aq sa kur qëndronin gjatë, harronin e s’më thoshin teze, teta etj, por e nisnin fjalinë: “O ma…”.
Të tillë e kisha menduar edhe marrëdhënien me atë që djali im do vendoste të kalonte jetën. Me atë që do të ishte bija e dikujt tjetër, por që do të linte familjen e saj për të ardhur te ne. Unë e di sa e sikletshme mund të jetë të shkosh në një vend të ri, për të bashkëjetuar me njerëz që s’të lidh gjaku, por “të ranë për pjesë” e për këtë arsye, desha që ti të gjeje një familje, të ndieje se i përkisje kësaj familjeje. Kështu e kam menduar gjithmonë, jo vetëm që s’do të ndaja nga fëmijët e mi, por përkundrazi do të ishe e avantazhuara ime, sepse kisha gjithnjë në mendje se po lije dy prindër, për t’u përshtatur në një “derë” të re. Për këtë arsye, siç e thotë dhe tradita jonë, folklori i pasur i këngëve dhe valleve, doja të krijoja ndjesinë se “dy prindër le dhe dy prindër gjete”.
E gjitha ka qenë në funksion të mirëqenies tënde emocionale dhe harmonisë së përgjithshme familjare. Por, duke i rrënjosur thellë këto ide, për mua u bënë alternativa e vetme. Për mua duhet të ishim patjetër nënë e bijë, jo me qëllim imponimin, detyrimin dhe vënien në siklet, por krejt e kundërta. Unë kisha krijuar modelet e mia në kokë dhe për të hequr ty sikletin, mendoja se unë duhet të bëhesha mami jot.
E mu rrënjos kaq shumë në mendje e zemër kjo gjë, saqë vetëm të tillë e shihja panoramën time familjare.
Dhe kur ndodhte që ti nuk më thërrisje mami, më dukej se po hidhje poshtë gjithë investimin tim shpirtëror, për të krijuar ty një ambient të ngrohtë familjar. Sikur po më injoroje gjithë ëndrrat që kisha thurrur.
Nga letra jote, kuptova se nuk është çështje faji, as mungesë dëshire e respekti. Ndoshta ëshë hendeku mes mendësive tona të ndryshme si individuale, ashtu edhe ato të brezit, por e rëndësishme është që mes nesh të mbizotërojë harmonia e respekti. E këtë frymë t’ja përcjellim edhe frytit të dashurisë tënde me tim bir.
Unë do vij së shpejti t’ju bëj petulla e të pijmë një kafe, dhe pavarësisht se tashmë e pranoj këndvështrimin tënd, kur ti të jesh gati (nëse ndonjëherë do jesh) unë me shumë gëzim e dashuri do pres të më thërrasësh “mami”.
Thank you for your sharing. I am worried that I lack creative ideas. It is your article that makes me full of hope. Thank you. But, I have a question, can you help me?