“Nëna kangur”
Qumështi që prodhon një nënë e cila e ka lindur fëmijën para kohe, ka përbërje të ndryshme nga qumështi i nënës që e ka lindur fëmijën në kohë të vet. Ky qumësht i përgjigjet kërkesave ushqimore që ka vetë fëmija i lindur para kohe. Dhe në fakt, ky qumësht është më i pasur me proteina dhe kripëra minerale (i linduri para kohe ka më shumë nevojë për këto lëndë). Nga ana tjetër, fëmija i lindur para kohe ka shumë më tepër nevojë për qumështin e nënës, se sa fëmija i lindur në kohë të vet.
Cfarë karakteristikash ka lidhja e fëmijës prematurë me pirjen e gjirit?
– Fëmijët e lindur parakohe janë shumë më të prekshëm prej infeksioneve dhe qumështi i nënës, i pasur me trupa mbrojtëse i ndihmon ata të mbrohen më mire prej mikrobeve të mjedisit;
– Fëmijët e lindur parakohe, nuk e asimilojnë mirë qumështin artificial, ndërkohë që e tresin dhe e thithin mirë qumështin e nënës;
– Fëmijët e lindur parakohe, megjithëse u nevojitet mjaft qumështi i nënës, mund të mos kenë të zhvilluar aq sa duhet thithjen dhe gëlltitjen (sidomos kur kanë lindur më parë se sa java e 34-t e shtatëzanisë) dhe kanë vështirësi në kapjen e gjirit.
Të gjitha këto vështirësi shumohen, nëqoftëse fëmija pastaj ka ndonjë problem, pasi ai është ende i sapolindur. Shpesh herë ushqyerja e fëmijës realizohet ose me një tub që vendoset në stomakun e bebit, ose me biberon.
Nuk është e thënë që të përdorim qumësht artificial, kur i linduri para kohe duhet të ushqehet me këto mënyra, sepse mund të shfrytëzohet qumështi i nënës i shtrydhur, derisa fëmija të jetë në gjendje të thithë vetë nga gjiri i nënës. Nëna, në ditët e para pas lindjes së një fëmije të parakohshëm, është vërtet e çorientuar, por është vërtet e rëndësishme që ajo të fillojë të shtrydhë gjirin, për të nxitur prodhimin e qumështit më tej. Nga ana tjetër, dhënia e qumështit të vet fëmijës është një motiv i rëndësishëm për të mbajtur atë “gjallë” përpara një vështirësie të tillë.
Të lindurit pas javës së 34-t të shtatëzanisë, janë shpesh të aftë të kapin gjirin dhe të ushqehen nëpërmjet tij.
Mbështetja dhe nxitja nga ana e punonjësve të maternitetit do të ishte thelbësore për suksesin e ushqyerjes me gji. Por, shumë nga këta punonjës nuk janë të bindur se është vërtet e mundur ushqyerja me gji tek fëmijët tetanikë.
Jo vetëm tetanikët, por edhe fëmijët e lindur në një moshë shtatëzanie më të vogël janë në gjendje të thithin dhe të ushqehen prej gjirit të nënës. Vëzhgimet e bëra nga disa studiues, në disa vende të botës, kanë treguar se mbajtja e fëmijës me peshë të vogël në gjirin e nënës (të ashtuquajturat “nëna kangur”), ndihmon edhe fëmijë shumë të vegjël (me peshë 1000g), jo vetëm të ushqehen mirë, por edhe të mbahet më ngrohtë dhe të ketë më pak probleme me frymëmarrjen.

Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu