Për të përcaktuar sa më saktë moshën e shtatëzanisë dhe datën e lindjes, duhet të përdoren të gjitha informacionet në dispozicion:
– Dita e parë e periodave të fundit;
– Përmasat e mitrës gjatë vizitës abdominale dhe asaj vaginale;
– Matja e gjatësisë nga fundi i mitrës deri në mes të kockës pubike;
– Matja e përmasave të bebit me anë të ekografisë;
– Rezultatet e vizitave ekografike.
Mosha e shtatëzanisë vlerësohet duke u nisur nga dita e parë e periodave të fundit, atëherë kur kemi të bëjmë me cikle të rregullta menstruale si edhe atëhere kur kjo ditë është e sigurt.
Kur do të lindë fëmija?
Një shtatëzani normale zgjat 40 javë nga dita e parë e periodave të fundit. 40 javë janë dhjetë muaj hënorë ose nëntë muaj kalendarikë. Nëqoftëse e mbani mend mire ditën e parë të periodave të fundit dhe keni pasur një cikël të rregullt, bebi do të lindë normalisht pas 9 muajve e 7 ditëve nga dita e parë e periodave.
Një mënyrë e shkurtër për ta llogaritur këtë është kështu:
Nga dita e parë e periodave të fundit zbriten tre muaj dhe shtohen mbi të shtatë ditë. Për shembull nëse periodat e fundit kanë qenë më 7 maj, muaji i pestë, zbrit tre muaj, mbërrin në 7 shkurt, i cili është muaji i dytë, shtohen 7 ditë dhe data e mundshme e lindjes rezulton 14 shkurt.
Si mundet që madhësia e mitrës të ndihmojë në përcaktimin e moshës së shtatëzanisë?
– Deri në javën e 12-të, që do të thotë tre muajshe, përmasat e mitrës do të jenë të tilla që nuk do të dallohet barku. Përmasat e saj do të dallohen vetëm gjatë vizitës gjinekologjike me anën e ekografisë.
– Nga java 13-të deri në javën e 24-t të shtatëzanisë, që do të thotë muaji i gjashtë, mitra preket mirë nga barku dhe përcaktohet me lehtësi madhësia e saj, duke matur distancën nga kocka pubike deri në fundin e mitrës.
– Pas javës së 24-t të shtatëzanisë mitra bëhet e dukshme edhe me sy të lirë, kështu që si për ju, ashtu edhe për personelin mjekësor është më i lehtë përcaktimi i madhësinë së saj në raport me moshën e shtatëzanisë.
Përse është i rëndësishëm vlerësimi i madhësisë së mitrës?
Nëqoftëse rritja e mitrës nuk përputhet me rritjen e moshës së shtatëzanisë, dyshohet për prapambetje së rritjes të bebit, gjë e cila shoqërohet me dëmtime të mundshme. Nëse dyshoni për diçka të tillë, duhet të drejtoheni menjëherë tek mjeku specialist, sepse vihet në rrezik jeta ose e ardhmja e bebit.
Përveç kësaj dyshohet edhe për sasi të pakët të lëngut amniotik ( ujërat që rrethojnë bebin ), vdekje të bebit brenda në mitër, apo plasje para kohe të membranave. Përsa u tha më sipër ka vlerë për rastet kur madhësia e mitrës është më e vogël sesa duhet të ishte në raport me moshën e shtatëzanisë.
Ka raste kur kjo madhësi është më e madhe se duhet të ishte për moshën e dhënë.
Në këto raste dyshohet për:
– Shtatëzani me shumë fëmijë ( dy ose më shumë );
– Sasi të shtuar të lëngut amniotik;
– Fëmijë me peshë të madhe ( mbi 4 kg );
– Diabet të nënës.

Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu