Pas një periudhe shumë impenjative, kur i duhej që çdo mëngjes të dilte në ekran, e për rrjedhojë koha me familjen ishte e kufizuar, aktualisht duket se moderatorja Eneida Xhelili po shijon maksimalisht rritjen e vajzës së saj Franka. Një fëmijë e mbarë, e qeshur, pa teka, e angazhuar me detyra të përshtatshme për moshën e saj, Franka është gëzimi dhe suksesi më i madh i aktores, modeles e moderatores Eneida Xhelili. Edhe pse tashmë marrëdhënia e tyre ka formën më të bukur të lidhjes sublime nënë e bijë, jo gjithçka ka qenë e lehtë. Eneida ka ndarë me ne problemet e vështira shëndetësore që ka përjetuar sapo solli në jetë vajzën, por në asnjë moment nuk ra pre e dëshpërimit. Ajo tregon se besimi në Zot dhe mrekullia që kishte sjellë në jetë e ndihmuan ta përballonte situatën e vështirë post-partum. Ajo ka rrëfyer edhe për marrëdhënien me bashkëshortin, duke thënë se asgjë nuk ka ndryshuar mes tyre, janë të njëjtët, por tashmë prindër.
Si është një ditë e zakonshme mes punës dhe familjes?
Dita ime nis herët në mëngjes. Vajzën dhe bashkëshortin i lija në gjumë dhe përshëndeteshim përmes transmetimit. Në këtë periudhë jam pak më e lirë për të shijuar mëngjeset së bashku. Merrem më shumë me palestër dhe mundohem të organizoj kohën për nevojat e familjes dhe projekteve të mia të punës. Pasditet janë më shumë të impenjuara me vajzën dhe kurset e saj (anglisht dhe balet).Ka raste kur të tre takohemi për të vajtur në teatër ose vende argëtimi për fëmijë.
Si i ke përjetuar momentet e para kur mësove se do të bëheshe nënë?
Ishte pas pushimeve të Vitit të Ri në Romë kur e kuptova që diçka kishte ndryshuar. Ana emocionale dhe telepatia të thonë që do të ndodhë diçka e re.
Kur bëra ekon e parë dhe ndieva zemrën e bebit që rrihte, ishte e jashtëzakonshme. Menjëherë bleva një palë pupa të kuqe për t’i dhënë lajmin Mondit, meqë nuk e dija ende gjininë e fëmijës.
A ke pasur probleme gjatë shtatzanisë? Cilat kanë qenë dhe si i ke tejkaluar?
Kam pasur një shtatzani të mrekullueshme pa asnjë problem dhe shtova vetem 11 kg në peshë. Nuk kam pasur as të perziera dhe asnjë komplikacion.
Ke bërë lindje natyrale apo me operacion? A e ke zgjedhur vetë mënyrën e lindjes, pa qenë e detyruar nga mjekët apo gjendja jote, pse ke bërë atë zgjedhje?
Kam bërë lindje cezariane. Ishte zgjedhja ime. U mendova dhe e vendosa. Në vendime të tilla femra duhet të vendosë vetë dhe jo të pyesë shumë. Mund vetëm të konsultohesh, por jo të lejosh të të imponohet njeri. Kam parë shume çifte ku vendos mashkulli duke harruar që në trup e kalon gjithçka vetëm femra. E vendosa sepse mendova që zakonisht ndodh që femra çahet nga poshtë dhe qepet (në më të shumtën e rasteve). Kjo më shtyu të lind pa dhimbje, meqë nuk do t’i shpëtoja dot çarjeve. Haha.
Sa e vështirë ka qenë periudha pas lindjes? Si u përshtate me ndryshimet që pasuan në jetën tënde?
Periudha pas lindjes ka qenë e tmerrshme pas komplikacioneve që pata. Post- partum për mua ka qenë një nga rastet e veçanta që edhe mjekët e veçojnë. U desh shumë kohë që të merrja veten dhe të isha në gjendje të vazhdoja jetën normalisht. Deshi Zoti, nga ana psikologjike nuk e lëshova veten.
Vajzën e ke ushqyer me gji apo me qumësht formulë? Për sa kohë?
Vajzën e kam ushqyer edhe me gji edhe me qumësht formule. Unë qëndrova gjatë në reanimacion edhe për këtë arsye ushqimi i vajzës kombinohej sipas gjendjes sime.
Si ia ke dalë të vish sërish në formë pas lindjes? Cili është sekreti?
Me vullnet dhe me rikthimin e shpejtë në punë. Kjo e fundit mund të duket e pabesueshme, por puna më ndihmoi të kap ritmin e jetës dhe të forcohem fizikisht. Aktiviteti fizik është gjithashtu i rëndësishëm.
Dhe ushqimi i shëndetshëm.
Me kë është më e lidhur Franka me mamin apo me babin?
Me të dy në mënyrën e saj. Nga secili merr atë që i pëlqen. Kur e pyesin, ajo nuk i pëlqen të na ndajë.
Si ka ndryshuar raporti juaj me bashkëshortin pasi jeni bërë prindër?
Për shkak të problemeve të mia shëndetësore, na është dashur të përballojmë shumë gjëra bashkë. Kemi kaluar edhe ne krizat tona por ia dolëm. Ardhja në jetë e Frankës nuk na ka penguar të shijojmë çaste të bukura me njëri-tjetrin. Jemi të njëjtët, por prindër tashmë.
Si është e organizuar dita e Frankës, me çfarë aktivitetetsh e ke angazhuar?
Ajo është në parashkollor dhe ka detyrat e saj të cilat i bën me dëshirë edhe në shtëpi. Është një fëmijë dinamik, por dhe e mprehtë e për këtë arsye e kemi përfshirë në kurs anglishte dhe baleti.
A dëshiron Franka një motër ose vëlla? Po planet tuaja cilat janë?
Ajo dëshiron, por kjo është pak e vështirë për shkak të problemeve që unë kalova pas lindjes. Rrezikoj po ta bëj një hap të tillë, thonë mjekët.
Gatimin e konsideron si “yoga”. Cila është receta që përgatit më mirë? Po pjata e preferuar e vajzës?
Më pëlqen të gatuaj dhe më ndihmon të çlirohem nga energjitë negative. Nuk mund të them që kam një recetë të preferuar, po ashtu edhe Franka. Por i vë rëndësi gatimeve në shtëpi. Nuk i preferojmë gjërat e gatshme. Franka nuk është fëmijë nazeli dhe kjo me ndihmon në larminë e gatimeve. Që ne vegjëli kështu jam mësuar, po kështu po mësoj edhe vajzën time. Shpeshherë bëjmë kek bashkë.
Çfarë dëshiron Franka të bëhet kur të rritet?
Doktoreshë si babai im.
Ju si një figurë e ekranit, do të dëshironit që edhe vajza të ndiqte të njëjtën rrugë, qoftë në aktrim, modeling, apo prezantim?
Po të ketë dëshirë, pse jo? Mjafton që gjithçka ta bëjë me dinjitet.
A e ndëshkon vajzën kur nuk sillet mirë? Nëse po, cili është ndëshkimi?
Në përgjithësi mundohen t’ia shpjegoj gjërat, por kur ajo nuk kupton atëherë e privoj pak nga gjërat e saj të preferuara.
Po kur sillet mirë a e shpërbleni, nëse po, si?
Patjetër. Fëmijët kanë nevojë gjithmonë për stimul. Shpërblimi ka të bëjë gjithmonë me dëshirat e saj, por jo pa kufi.
Ndodh ndonjëherë ta gënjesh vajzën? Nëse po për çfarë arysesh?
Asnjëherë nuk e kam gënjyer dhe s’do ta bëj kurrë. Po ndodhi një herë, bëhet rrugë. Kështu jemi munduar të krijojmë besim tek ajo. Kur ne themi diçka, ajo e di që është e vërtetë.
Kur nuk mund të jesh me vajzën kush kujdeset për të? Pse ke zgjedhur pikërisht atë person?
Varet sipas rastit. Mondi, mami im, vjehrra.Vetëm tek personat e familjes kam besim. Nuk është e lehtë t’ia besosh fëmijën një njeriu të huaj.
Shumë figura të ekranit nuk i ekspozojnë fëmijët në rrjetet sociale, ndërsa ti po. Ç’mendim ke për këtë temë?
Unë nuk kam dashur ta ekspozoj vajzën, por kjo ka ndodhur pa më pyetur dhe më ka ardhur shumë keq. Njerëzit shpesh nuk i kuptojnë kufijtë e tyre.
Si është raporti i Frankës me teknologjinë?
I mirë. Mundohem që teknologjia të jetë në shërbim të dijeve të saj dhe jo të krijojë varësi.
A ka ajo detyrat e veta në shtëpi? Nëse po, cilat janë?
Po patjetër. Përveç detyrave te parashkollorit, ajo ka aglishten dhe ushtrimet e baletit. Ne mundohemi ta përfshijmë dhe në gjëra të vogla në shtëpi që të edukohet edhe për këtë pjesë dhe t’i vijë gjithçka natyrshëm.
Sa sociale është Franka me fëmijët e tjerë?
Franka është shumë fëmijë social. I pëlqen ta ndajë kohën me shokët dhe shoqet, si në kopsht dhe jashtë. Nuk ka dëshirë t’i bëjë gjërat vetëm.
Nga Desara pernenat
Lexo edhe: Intervista me Rezarta Skifterin
Sorry, there are no polls available at the moment.Burimi i fotos Rudina Tv Klan
')}
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu