Kurrë në jetën time nuk kisha marrë aq shumë dashuri sa në ditët e muajt pasi solla në jetë vajzën time. Ndjeva dashuri pa masë nga të gjithë ata që më rrethonin, por dashuria më e fortë ishte ajo nga gratë e tjera që ishin bërë nëna para meje. Ajo dashuri buroi nga një vend i veçantë në zemër, nga një ndjenjë që mund ta kuptojë vetëm një nënë.
Më kujtohet një ditë shumë emocionuese kur vajza ime ishte vetëm një javëshe. Unë kisha kaluar shumë vështirësi që mendoj se kishin të bënin me atë që quhet periudha blu e foshnjave. Motra ime, u ul në shtrat me mua, ndërsa përpiqesha të ushqeja me mundim fëmijën dhe duke më fërkuar shpatullat, më inkurajoi ta provoja pak më vonë.
Në atë moment unë shpërtheva në lot dhe i kërkova falje.
Ajo më pa e tronditur. Pse pikërisht po i thoja më fal?
Por unë ndieja se motra ime më donte dhe më kuptonte në atë mënyrë që nuk mundej askush tjetër. Sepse ajo e kishte provuar mëmësinë përpara meje.
U ndjeva shumë mirënjohëse që e kisha në jetën time, por u ndjeva dhe e mbingarkuar në faj që nuk kisha mundur ta doja dhe ta kuptoja kur ajo u bë nënë për herë të parë, siç po më kuptonte ajo mua.
Të njëjtën gjë ndiej edhe për mikeshat e mia të afërta që u bënë nëna para meje.
“Më falni”!
Për motrën time që u përpoq për muaj me radhë të ushqejë djalin e saj dhe kaloi orë të panumërta me konsulentët e laktacionit, i kërkoj falje që nuk e kuptova për një gjë mua më dukej kaq e thjeshtë, por që atë e bënte të ndihej e dështuar që nuk mundi ta realizonte.
Për mikeshën time, i kërkoj falje që nuk e kuptova se pas mesazhtit që më shkruante se nuk kishte nevojë për asgjë, në fakt një vakt i ngrohtë apo një kafe do të kishte bërë shumë diferencë për të.
Për mikeshat e mia që i kanë humbur fëmijët përpara se t’i sillnin në jetë, kërkoj falje që nuk e kuptoja sesa shumë mund ta duash një qenie edhe pse nuk e ke parë ende.
Më fal që unë nuk mund të afrohesha as të përfytyroja dhimbjen dhe pikëllimin tënd derisa ta ndjeja vajzën time të lëvizte në bark, madje edhe atëherë nuk munda. Falja nuk është e mjaftueshme për të tejkaluar dhimbjen e madhe që po ndjen.
I kërkoj falje mikeshës sime që më ka besuar mua duke më treguar se vuante nga depresioni pas lindjes dhe unë nuk arrija ta kuptoja se sa pikëllim kishte ajo në zemër. Më fal që nuk e kuptova errësirën që përjetoje çdo natë kur shkoje për të fjetur.
I kërkoj falje të gjitha mikeshave të mia që nuk e kam kuptuar plotësisht agoninë e zemrës suaj kur keni pasur fëmijët sëmurë.
Këto gra të mrekullueshme, të bukura më kanë mësuar aq shumë. Arrita t’i kuptoj shumë mirë në momentin që u bëra nënë. Kur pashë zemrën time të rrihte jashtë trupit tim. Më vjen keq që nuk ju kam kuptuar më parë, por premtoj që do e shlyej në vazhdim.
Lexo edhe: Per cfare ka nevoje nje nene, 7 gjerat qe e bejne te lumtur
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu