Konstipacioni (kapsllëku) duket se përbën një problem të madh tek fëmijët, problem i cili mund të shfaqet qysh në muajt e parë të jetës. Mund të themi se momentet “kritike” janë kalimi nga qumështi i gjirit tek formula si edhe nga qumështi tek ushqimet e ngurta. Megjithatë në këtë problem mund të ndikojë edhe frekuentimi i kopështit.
Mund të jetë diçka e trashëguar?
Po, konstipacioni është një problem që mund të trashëgohet nga prindi tek fëmija, e megjithatë janë edhe disa faktorë të tjerë që ndikojnë si heqja e bebelinës, fillimi i kopështit, dhe stili i jetës në përgjithësi.
Konstipacioni (kapsllëku) dhe qumështi i formulës
Kalimi nga qumështi i gjirit tek ai i formulës mund të bëhet shkaktar për shfaqjen e këtij problemi, kjo pasi qumështi i nënës ka një përbërje tjetër për shembull yndyrnash, gjë e cila mund të ndryshojë florën bakteriale të zorrëve. Nëse fëmija pi qumësht gjiri duhet të ushqehet vetëm me gji deri në muajin e 6-të, ndërsa nëse ushqehet me qumësht formule dhe paraqet probleme me defekimin, mund të filloni t’i jepni drithërat dhe përkatësisht miellin misër dhe tapiokë (mais&tapioca), kjo për të shfrytëzuar veprimin e tyre prebiotik.
Gjithçka ndryshon me ushqimet e ngurta
Edhe në këtë rast flora e zorrëve do të ndryshojë për të njëjtën arsye, ushqimet e ngurta kanë përbërje të ndryshme nga ajo e qumështit. Në rast konstipacioni duhet të rrisni dozën e fibrave duke e bërë fëmijën të hajë më shumë mollë dhe kumbull.

Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu