Gruaja shtatëzanë fillon të ëndërrojë për atë çfarë do të jetë duke bërë fëmija brenda barkut të saj duke filluar nga trimestri i dytë dhe këto mendime fillojnë të bëhen edhe më të shpeshta në momentin që ajo fillon të ndiejë lëvizjet e tij. Por me kalimin e kohës uterusi fillon të jetë i vogël për përmasat gjithnjë e në rritje të fëmijës. Për një mjek nuk është e vështirë të dallojë pozicionin e fëmijës edhe me anën e prekjes, dhe kjo mund të bëhet e thjeshtë edhe për gruan nëse ajo ka parasysh këshillat e duhura.
Prekja e barkut
Para së gjithash duhet të dini se është e gabuar të mendoni se duke prekur barkun do të dëmtoni fëmijën. Ju duhet të dini se me anën e prekjes mund të dalloni gjymtyrët e fëmijës.
Ku ndodhet fëmija im?
Gjithçka fillon nga gjetja e pozicionit, pra nëse ai është cefalik (me kokë poshtë) apo podalik (me këmbë poshtë). Këtë gjë duhet ta bëni duke prekur pjesën e fundit të barkut. Koka e fëmijës është më e fortë dhe më kompakte se zona gluteale. Pasi keni gjetur pozicionin e kokës, duhet të kërkoni për gjymtyrët e trupit duke prekur pjesën anësore të barkut. Atje ku zona është e fortë dhe e gjerë ndodhet zona gluteale e fëmijës, ndërsa atje ku perceptoni pjesë të dala dhe të vogla mund të ndodhen gjunjët apo bërrylat. Nëse prekni gjunjët mund të dalloni edhe lëvizjet e vogla të fetusit tuaj.
Presioni në bark
Gjithashtu ju mund të kuptoni pozicionin e kokës së fëmijës edhe nëpërmjet presionit që ajo ushtron në zonën fundore të barkut duke qënë se ka një peshë më të madhe. Gjithashtu nëse koka është poshtë lëvizjet e këmbëve do të jenë kryesisht majtas ose djathas barkut. Nëse do të bëni një prekje të njëjtë nga të dyja anët e barkut, do të kuptoni se ku ndodhet shpina e fëmijës, e cila është një pjesë që paraqitet e lëmuar, duke vënë re si do të mblidhet duke lëvizur gjymtyrët e fëmijës. Kjo gjë mund të bëhet e dukshme duke filluar që nga java e 26-27 e shtatëzanisë.

Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu