Kur bëhesh prind, ndryshon gjithë jeta dhe çdo raport përmbyset, pasi tashmë gjithçka rrotullohet rreth fëmijës që ke sjellë në jetë. Çdo mendim i përket shëndetit, ushqyerjes, edukimit, rritjes e të ardhmes më të mirë të krijesës tënde.
Në këtë vazhdë ekziston një dilemë në shumë famlije shqiptare. Ku është më e sigurt e ardhmja e fëmijëve tanë, në Shqipëri apo jashtë saj?
Për fat të keq, pjesa më e madhe e shohin të ardhmen larg këtij vendi, ndoshta jo nga dëshira, por nga nevoja për të rritur fëmijë të shëndetshëm, të sigurt, të lumtur, me perspektivë për arsimin e të ardhmen afatgjatë.
Në një sondazh icili është krijuar personalisht nga një nënë e grupit “pernenat group”, rezulton se 90% e nënave dëshirojnë të jetojnë jashtë Shqipërisë dhe vetëm 10% e tyre e mendojnë veten këtu edhe në të ardhmen.
Nga komentet kuptohet se pjesa dërrmuese ose dëshiron të jetojë jashtë Shqipërisë, ose e ka marrë këtë vendim, mbase edheduke planifikuar që fëmijën ta lindë atje.
Dikush tjetër shpreh dëshirën, por pamundësinë, dikush shpreson të gjejë një punë dhe të niset sa më shpejt diku nëpër botë, vetëm të mos qëndrojë në Shqipëri.
Ka edhe nga ato familje ku partnerët mendojnë ndryshe dhe dëshira e nënave është që sapo të arrijnë dakordësinë, të largohen nga vendi.
Janë shumë të pakta nënat që thonë se jetojnë me dëshirë këtu dhe argumenti i tyre është atdhedashuria.
Lëvizjet masive jashtë Shqipërisë ose të paktën dëshira e madhe shprehet në shumë aspekte të jetës së përditshme. Shumë punonjës të mjekësisë zhvillojnë kurse të gjuhës gjermane me synimin për t’u zhvendosur atje. Numri gjithnjë e në rritje i aplikimeve për lotarinë amerikane është një tjetër tregues.
Edhe në faqen tonë, në komunitetin tonë të nënave është gjithnjë në rritje numri i mesazhdërgueseve që kërkojnë infromacion mbi dokumentet në vende të ndryshme, mbi bashkimin familjar, mbi garantimin e një kontrate dhe vize për të punuar jashtë.
Arsyet mund të jenë të ndryshme për persona të ndryshëm, dikush për kushte më të mira shëndetësore, dikush për rend e siguri më të mirë, dikush për ekonomi më të mirë, dikush për arsim, por emëruesi i përbashkët është mungesa e perspektivës në vendin tonë. Të gjithë e duan të ardhmen më të mirë dhe e kërkojnë atë atje ku mund të mundësohet më “thjeshtë”, pra jashtë Shqipërisë.
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu