Shtatzania dhe dhimbjet e shpinës duket se ecin krah për krah me njëra-tjetrën.
Këto dhimbje do të jenë prezente pothuajse në çdo grua shtatzanë, e cila do t’i ndiejë ato në një orë të caktuar të ditës si edhe në një zonë të caktuar të shpinës, duke u manifestuar në mënyra të ndryshme për zona të ndryshme. Mënyrat që mund të trajtohen janë të ndryshme, ndër të cilat mund të përfshihen edhe disa ushtrime gjimnastike apo seanca agopunkture. Përveç këtyre ja çfarë mund të bëni tjetër për të lehtësuar këto dhimbje.
1. Evitoni qëndrimet e gjata në këmbë
Nëse jeni një grua që qëndroni për shumë orë në këmbë nuk duhet të cuditeni nëse do të ndieni dhimbje konstante në pjesën e fundshpinës, dhimbje e cila me kalimin e kohës mund të shtrihet edhe në zonën abdominale si edhe tek këmbët. Evitoni veshjen e takave të larta si edhe gjatë ditëve të lodhshme vendosni një mbajtëse të posaçme për barkun. Përpiquni që ndërsa qëndroni në këmbë të kontraktoni muskujt glutealë gjë e cila do t’ju ndihmojë në lehtësimin e tensionit të shpinës. Çdo gjysëm ore bëni disa hapa për të çliruar muskulaturën e trupit.
2. Qëndrimi për një kohë të gjatë ulur
Kjo mënyrë e të punuarit do t’ju bëjë të ndiheni mirë në mëngjes dhe më pas, gjatë ditës të ndieni dhimbje dhe tension sidomos në pjesën e shpatullave dhe qafës. Për t’u ndier më mirë duhet të bëni çdo dy orë disa ushtrime stetching: kryqëzoni duart dhe ngrini krahët lart, shtrini shumë butësisht shpinën duke zgjatur muskujt e kolonës vertebrale. Gjithashtu një ushtrim që do t’ju vijë në ndihmë është ushtrimi i forcës në zonën gluteale duke e ngarkuar peshën tek këmbët. Ky ushtrim duhet bërë duke e vendosur një këmbë para tjetrës.
3. Kur kemi edhe një fëmijë tjetër në shtëpi
Mund të ndodhë që ndërsa jeni në shtëpi të merrni fëmijën tuaj në krah, duke u ulur në disa raste edhe për të marrë dicka që mund të ketë rënë në tokë. Kjo mund të shkaktojë tek ju dhimbje të papritura dhe akute, për këtë arsye duhet të evitoni kryerjen e kësaj lëvizje. Për të marrë apo spostuar objektet nga toka duhet të përthyeni këmbët duke e mbajtur peshën pranë trupit, çohuni ngadalë duke përdorur muskujt e këmbëve. Në momentin që do të merrni fëmijën në krah duhet ta mbështesni menjëherë në gjoks në mënyrë që pesha të përqëndrohet në të gjithë shtyllën kurrizore.
4. Problemet me gjumin
Një tjetër shqetësim është ai që mund të shfaqet në momentin që shkoni për t’u shtrirë, ku në vend që të qetësoheni mund të ndiheni më keq si pasojë e vështirësisë në frymëmarrje, parehatisë edhe pse mund të jeni duke ndërruar shpesh pozicion, por edhe nëse mund të arrini të flini e qetë mund të ndodhë që të zgjoheni e kontraktuar. Në këtë rast, për të qetësuar shpinën dhe zonën çervikale, mund të vendosni një jastëk mes këmbëve, dhe nëse flini në shpinë mund ta vendosni jastëkun poshtë gjunjëve, në mënyrë që t’i mbani të përthyera. Një pozicion tjetër që mund t’ju ndihmojë është ai i rrotullimit të legenit duke vendosur të dyja duart në mesin tuaj.
5. Problemet që mund të shfaqen gjatë pastrimit
Dhimbjet mund të jenë të shpeshta edhe në zonën lombare, gjë e cila shpesh do t’ju sjellë vështirësi edhe në kryerjen e disa aktiviteteve të përditshme, si për shembull punët e shtëpisë. Edhe në këtë rast duhet të evitoni përthyerjet e shpinës. Nëse do t’ju duhet të uleni për të bërë diçka në tokë duhet të përthyeni këmbët dhe më pas të mbështeteni tek gjunjët. Për të qetësuar këto dhimbje mund të përdorni një krem të posaçëm për dhimbjet artikulare.
Lexoni edhe: A duhet te ngjisim shkallet ne shtatzani?
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu