Dhimbja e barkut mund të jetë shenjë e mjaft sëmundjeve si ato të aparatit të tretjes, infeksione të rrugëve urinare etj. Mund të jetë e shkaktuar edhe nga të vjellat, apo si shenjë shoqëruese për infeksionet e bajameve, fruthit . Fëmija mund të ankohet se ka dhimbje barku, në rast se provon një ndjenjë këputje, pafuqie, ka të përziera, apo nëse ka dhimbje në një pjesë të trupit, që nuk është në gjendje ta përcaktojë mirë.
Si të veprojmë përballë një dhimbje barku të fëmijës?
Kërkoni se kush mund të jetë shkaku i dhimbjes së barkut. Shumë fëmijë kalojnë shpesh herë dhimbje barku kur ndihen të pasigurt, kanë ankth, frikë. Në rast se dhimbja nga e cila ankohet fëmija juaj nuk është shumë e fortë dhe zgjat një-dy orë, nuk duhet të shqetësoheni, por megjithatë mundohuni të zbuloni se çfarë e shqetëson, dhe qetësojeni fëmijën.
Në rast se fëmija paraqet një dhimbje të fortë, që zgjat disa orë rresht, duhet ta merrni seriozisht. Mundet që të ketë një apendisit që shfaqet kur apendiksi (apo ndryshe zorra qorre, që është një copëz e vogël zorre, e vendosur në fund të zorrëve në anën e djathtë) është i pezmatuar apo i qelbëzuar. Megjithatë, kjo është e rrallë tek fëmijët nën moshën 3 vjeç. Gjithashtu mjaft krimba dhe parazitë mund të japin dhimbje barku.
Në një foshnjë nën një vjeç apo në një fëmije të vogël, kriza të përsëritura dhimbjesh të forta barku me intervale prej rreth 15- 20-minuta nga njëra tjetra, të shoqëruara me një rëndim të gjendjes së përgjithshme të fëmijës, mund të bëjnë të dyshosh për një ngatërrim zorrësh.
Çfarë mund të bëni?
Masni temperaturën e fëmijës. Në rast se është e rritur, ka mundësi që të ketë apendecit, veçanërisht nëse dhimbja e barkut është e fortë dhe e lokalizuar përreth kërthizës. Në këto raste, nëse prekim apo shtypim barkun e fëmijës, ai do të kërcejë përpjetë nga dhimbja.
Në këtë rast mos i jepni asnjë lloj qetësuesi për dhimbjet (analgjezik) apo për të ulur temperaturën, si për shembull paracetamoli, sepse dhënia e tyre mund ta qetësojë fëmijën dhe të fshehë shenjat e një infeksioni të zorrëve, apendecitit etj.
– Nëse mendoni se fëmija juaj mund të ketë një krizë apendiciti, mos i jepni asgjë për të ngrënë dhe për të pirë. Nëse ka etje, jepini pak ujë, por mos e lejoni të hajë asgjë;
– Qetësojeni fëmijën, përkëdheleni, duke i kushtuar më shumë vëmendje;
– Në rast se mendoni se nuk është apendicit, apo ngatërrim zorrësh, mbushni një borsë me ujë të ngrohtë dhe mbështilleni me një peshqir. Më pas kërkojini fëmijës të shtrihet dhe të mbajë borsën mbi bark.
Drejtohuni menjëherë tek mjeku në rast se fëmija juaj:
– Hidhet përpjetë dhe bërtet nga dhimbja me intervale 15-20 minuta, duke u zbehur mjaft gjatë këtyre krizave;
– Nxjerr feçe me ngjyrë të kuqe të errët, apo të ngjashme me reçelin e manaferrave;
– Ka dhimbje të forta barku të pandërprera që zgjatin mbi dy – tre orë;
– Ka dhimbje të forta barku, të shoqëruarara dhe me ngritje të temperaturës.
Drejtohuni për vizitë tek mjeku pediatër në rast se fëmija juaj:
– Paraqet edhe shenja të tjera si: duket mjaft i lodhur, ka temperaturë, ka të vjella etj;
– Ka dhimbje barku më shumë se tre orë rresht;
– Vuan shpesh nga dhimbjet e barkut.
Çfarë mund të bëjë mjeku?
Mjeku do të vizitojë fëmijën për të kuptuar shkakun e dhimbjeve të barkut. Trajtimi do të varet nga shkaku, por shpesh ky shqetësim nuk ka nevojë për asnjë mjekim. Në rast se mjeku dyshon për një apendecit apo ngatërrim zorrësh, do të kërkojë ta çoni fëmijën menjëherë në spital, sepse ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.
Përdredhja e zorrëve
Në këtë rast, zorrët e holla të fëmijës përdridhen me njëra – tjetrën dhe mund të krijojnë një bllokim, që është shumë i rrezikshëm. Ky bllokim ndodh më shpesh në bashkimet e zorrëve të holla me ato të trasha.
Shenjat
Foshnja mund të qajë me të madhe me intervale të caktuara dhe do të ngrejë këmbët lart. Mund të ketë të vjella dhe diarre, madje dhe gjak në jashtëqitje. Barku i fëmijës mund të jetë i fryrë, gjendja mund të vështirësohet nga ndonjë e çarë në zorrë, që mund të çojë në infeksion të pjesës së brendshme të barkut.
Trajtimi
Kalimi i ajrit nëpër zorrë mund t’i zhbllokojë ato. Nëse kjo nuk arrihet, atëherë duhet bërë operacion. Në rastet më të rënda mund të hiqet një pjesë e zorrës.
Apendeciti
Infeksioni / pezmatimi i apendisitit është një shkak i zakonshëm i dhimbjeve të barkut. Shkaku nuk njihet, por mund të jetë një pengesë nga copa të vogla jashtëqitjesh, apo më rrallë edhe nga krimbat e zorrëve. Apendiksi enjtet dhe infektohet. Nëse kapet shpejt, apendisiti nuk është serioz. Megjithatë, nëse shenjat gabohen apo ngatërrohen me kapsllëkun dhe ka vonesë në trajtim, apendeciti mund të plasë.
Shenjat
Shenja e parë është dhimbja rreth kërthizës. Mbas disa orësh, dhimbja e fortë kalon në anën e djathtë, në pjesën e poshtme të barkut. Fëmija mund të ketë pak temperature dhe të mos pranojë të hajë. Gjuha mund t’i thahet dhe mund të ketë të vjella, diarre apo kapsllëk.
Trajtimi
Flisni menjëherë me mjekun. Apendeciti duhet të hiqet sepse pa marrë kujdesin e duhur, në kohën e duhur mund të plasë. Nëse kjo nuk bëhet, çon në formimin e një qeseje me qelb (abses) të brendshëm.

Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu