Fatmirësisht ka shumë mënyra për t’u mbrojtur nga pickimi i mushkonjave të natës ose i mushkonjave tigër gjatë ditës.
Në treg ekzistojnë shumë produkte pak a shumë të efektshme kundër mushkonjave: nga kremrat e ndryshme që aplikohen në lëkurë e deri tek solucionet e lëngshme që vendosen në prizë për të mbajtur larg këto insekte.
Sidoqoftë, në shtatzëni mund të lindin disa dyshime për sigurinë e tyre, nëse ato mund ta dëmtojnë fetusin apo jo.
Le të fillojmë me produktet që do të aplikohen në lëkurë, me formulat e ndryshme të mundshme: sprai, xhel, locion apo krem. Ndër përbërësit aktivë që mund të gjenden më shpesh në këto produkte janë Deet (dietiltoluamide), icaridin (ose pikaridin), PMD (paramatandiol ose Citrodiol, që vjen nga një ekstrakt eukalipt).
Produktet e tjera, të paraqitura përgjithësisht si “natyrale”, përmbajnë vajra esenciale siç janë tea tree, eukalipt, limon, livando etj.
Është e pashmangshme që një përbërës aktiv të absorbohet në lëkurë dhe të arrijë tek fetusi përmes placentës. Megjithatë këto sasi janë minimale dhe sipas toksikologëve kanë efekte të parëndësishme mbi embrionin apo festusin.
Në shumë vende të botës mushkonjat nuk janë vetëm të bezdisshme, por ato mund të transportojnë sëmundje të rëndësishme si malaria, ose kohët e fundit, virusin Zika. Mbrojtja e vetes është e domosdoshme dhe për këtë arsye disa studime janë kryer për të vlerësuar sigurinë e produkteve të mushkonjave.
Sa i përket produkteve që konsiderohen natyrale për mbrojtjen nga mushkonjat, si ato që përmbajnë vajra esenciale, sipas studiuesve ndonëse nuk ka studime që tregojnë se paraqesin rreziqe të konsiderueshme klinike, në gjendjen e shtatzënisë nuk mund të përjashtohet përfundimisht këto rreziqe.
Për më tepër, këto produkte gjithashtu priren të jenë më pak efektive, kështu që ju rrezikoni të jeni jo vetëm më pak të sigurta, por edhe më pak të mbrojtura.
Cilat produkte duhet të zgjidhni
Një aspekt që duhet t’i kushtohet vëmendje kur përzgjidhet produkti kundër mushkonjave që do të përdoret është përqendrimi i përbërësit aktiv, i cili ndryshon nga produkti në produkt edhe midis linjave të ndryshme të së njëjtës markë. Përqëndrimi llogaritet në sajë të dallimeve për kohëzgjatjen e mbrojtjes. Ka produkte që sigurojnë mbrojtje për 10 orë por ka edhe produkte që sigurojnë mbrojtje për 3 ose 4 orë.
Zgjedhja, pra, varet mbi të gjitha nga rrethanat, edhe nëse, në përgjithësi, për nevojat që mund të keni në vendin tonë, një produkt me përqendrim më të ulët është shumë i mirë.
Si t’i aplikoni këto produkte:
- Ndiqni udhëzimet në paketim;
- Përdorini vetëm kur është e domosdoshme;
- Lajini me sapun dhe me ujë kur nuk jeni më të ekspozuar ndaj insekteve;
- Aplikojini ato vetëm në lëkurë ose nëse keni rroba të hapura, jo nën veshje;
- Kurrë mos i aplikoni ato në lëkurë të irrituar ose me plagë.
- Nëse doni ta aplikoni produktin në fytyrë mos e vendosni direkt por vendoseni njëherë në duar e më pas në fytyrë duke shmangur zonën rreth syve dhe rreth gojës;
- Në qoftë se ju përdorni edhe një kremin për mbrojtjen nga dielli së pari vendosni këtë pastaj kremin kundër mushkonjave;
- Lani duart pas çdo aplikim.
Këshilla shtesë për të zvogëluar rrezikun e pickimit:
- Përpiquni të qëndroni në vende të mbyllura nëse jashtë ka mushkonja, me ajër të kondicionuar ose rrjeta kundër mushkonjave.
- Nëse dilni jashtë vishni rroba me mëngë të gjata, me ngjyra të lehta të cilat janë më pak tërheqëse për mushkonjat.
- Shmangni përdorimin e parfumeve, si dhe deodorantëve me aromë pasi ato i tërheqin insektet.
Lexo edhe: Si te qetesojme te kruarat nga pickimet e mushkonjave ne menyre natyrale?
Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu