Jo më larg se 1 javë më parë u përballa me një skenë të pakëndshme në një nga spitalet e qytetit. Duke pritur në një nga dhomat e urgjencës pediatrike, më tërheq vëmendjen një bebe shumë e vogël që me bindje të plotë mund të them se nuk ishte me tepër se 20-30 ditësh, i cili qante në mënyrë të dëshpëruar. Deri këtu çdo gjë ishte “normale” për veshët dhe sytë e mi, duke qënë se një fëmijë i vogël komunikon nëpërmjet të qarës, pikërisht nëpërmjet saj shprehet në lidhje me atë çfarë ka nevojë dhe personalisht mendova se kërkonte gjoksin e nënës së tij për të pirë apo për të qënë pranë saj. Një moment më vonë e kuptova se ai nëpërmjet asaj të qare shprehte dhimbje dhe kërkonte ndihmë. Vetëm pasi bebelina e tij u hap dhe para syve të mi u shfaq lëkura e tejskuqur dhe vende-vende e rrjepur e kuptova ose më saktë u mundova të kuptoja se çfarë ishte duke ndier ai vogëlush.
Pa dashur të kaloj në anën e një gruaje dhe nëne paragjykurese u mundova të kuptoja se nga shpejtësia nëna po vazhdonte ta pastrone feçen e tij (sapo defekoi si pasojë e një stimulimi me mikroklizëm) ndërkohë që ai qante me të madhe. Në atë moment u afrova dhe e këshillova nënën të mos vazhdonte më, dhe e ndihmova ta pastronte tek çezma e dhomës së spitalit. Fëmija në atë moment u qetësua disi dhe e këshillova atë vajzë dhe nënë të re të mos i përdorte kurrë letrat e lagura tek lëkura e fëmijës, aq më tepër tek një lëkurë aq e irrituar dhe të njëjtën gjë dua t’jua këshilloj edhe ju, mos i përdorni kurrë letrat e lagura tek vogëlushët tuaj, nuk ka asgjë më të shëndetshme se uji.
Duke qënë se eksperienca është mësuesi më i mirë, i shpreha nënës dyshimet e mia në lidhje me një infeksion fungial të mundshëm (myk), ku në këtë rast mjekimi me anti-mykotik mund të ishte i nevojshëm, gjithmonë nën aprovimin e mjekut.
Ajo që dua të përcjell sot tek ju është shumë e qartë, shkon përtej një eksperience të jetuar. Kujdes me lëkurën e fëmijës tuaj, mos e lini atë të degradojë! Ai nuk ka mundësi të shprehë se çfarë e mundon, të paktën jo me fjalë! Do t’ju këshilloja të shkonit menjëherë tek mjeku nëse në lëkurën e fëmijës tuaj shfaqet një irritim, dhe sidomos nëse shoqërohet me puçra të vogla. Ju nuk e keni idenë sa shpejt përhapet në lëkurë një infeksion mykotik, dhe çfarë shqetësimesh sjell për fëmijën. Një trajtim i hershëm do të jetë gjithmonë më i shpejtë dhe më efektiv.
Ajo që duhet të bëni në jetën e përditshme
Infeksionet mykotike shfaqen zakonisht pas një trajtimi me antibiotik, por mund të shfaqen edhe në çdo moment tjetër, për këtë arsye është e rëndësishme që skuqja të kontrollohet nga mjeku. Në rast se kjo ndodh përveç mjekimit duhet edhe një higjenë më e mirë. Uji i vakët duhet të jetë miku më i mirë i lëkurës së bebes dhe në rast irritimesh nuk duhet të përdorni sapun apo shampo edhe pasi fëmija ka defekuar.
Ajrosja e mirë është gjithashtu shumë e nevojshme, prandaj pasi e keni larë e lini fëmijën pa bebelinë duke e mbështjellë lehtë me një çarçaf fanellati apo pambuku.
Gjatë ndërrimeve të përditshme duhet të përdorni një krem me oksid zinku dhe në rast skuqje % e oksidit të zinkut duhet të jetë më e lartë (pasta Hoffman 48% oksid zinku). Lëkura e fëmijës duhet të mbahet sa më e thatë dhe e pastër!
Pra nëna të dashura, në momentin e parë që do të shikoni se diçka nuk shkon në lëkurën e fëmijës duhet të flisni me mjekun tuaj pediatër!
Lexoni edhe: Lekura e femijes, 5 keshilla per ta mbajtur te shendetshme

Për të lënë një koment ju duhet të jeni regjistruar Identifikohu